„Shpresojmë që zgjedhjet parlamentare në fund të këtij viti të na konfirmojnë faktin që aktiviteti ynë ka qenë në nivelin e pritshmërisë” – intervistë me deputetin e ALAR, Bogdan-Alin Stoica

Share

Që nga viti 2016, zoti Bogdan-Alin Stoica përfaqëson  pakicën kombëtare shqiptare në Parlamentin e Rumanisë, duke u zgjedhur si deputet në listën e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë mbas zgjedhjeve të përgjithshme në fund të atij viti. Por, para vitit 2016 Bogdan-Alin Stoica ka qenë shumë aktiv në kuadër të organizatës, duke marrë pjesë në veprimtaritë e saj dhe duke drejtuar departamentin e rinisë dhe studentëve. Tani, në përfundim të mandatit, e lutëm zotin deputet që të bëjë një bilanc të shkurtër të katër viteve të mandatit të tij dhe të na tregojë disa nga projektet për të ardhmen.

Drita: Zoti deputet, si ka qenë kontakti juaj i parë me Parlamentin e Rumanisë, me aktivitetin, procedurat dhe me praktikat e tij?

Bogdan-Alin Stoica: Fatmirësisht, kontaktet e para me Parlamentin e Rumanisë kanë qenë përpara vitit 2016, sepse në cilësinë e koordinatorit të departamentit për rininë dhe studentët të ALAR, kam organizuar projekte të shumta të edukimit qytetar, në kuadër të të cilave u kam prezantuar të rinjve të komunitetit tonë aktivitetin e legjislativit. E ndjera zonja deputete, paraardhësja ime, zonja Oana Manolescu, dëshironte që të rinjtë tanë të përgatiteshin edhe nga pikëpamja e njohurive qytetare, të njihnin mënyrën e funksionimit të një demokracie si dhe të merrnin pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike. Kështu, një pjesë e të rinjve që morën pjesë në këto projekte iu bashkuan ekipit të ALAR-it dhe ky angazhim vazhdoi edhe më pas, së bashku me mua.

Sigurisht, kontakti me Parlamentin e Rumanisë në cilësinë e deputetit ka qenë një përvojë e veçantë. Duke qenë i ri në moshë, jam përpjekur që të jem sa më i përgatitur në të gjitha pikëpamjet, me qëllimin që ta përfaqësoja nivelin e duhur këtë mandat që zgjedhësit ma besuan. Besoj se ia dola mbanë të përshtatem shumë shpejt me jetën parlamentare, ndërkohë që kolegë të Grupit Parlamentar të minoriteteve nacionale, në kuadër të të cilit unë veproj në Dhomën e Deputetëve, u kanë ofruar të gjithë atyre që ishin në mandatin e parë të deputetit këshilla dhe rekomandime të rëndësishme. Sigurisht, kanë ekzistuar edhe momente të tensionuara, të cilat kam arritur t’i kapërcej dhe nga të cilat kam nxjerrë mësimet e duhura.

Drita: Në qoftë se do të zgjidhnit tre nga iniciativat legjislative për të cilat keni punuar gjatë kësaj periudhe, cilat do të ishin ato?

Bogdan-Alin Stoica: Kanë qenë shumë akte normative për hartimin e të cilave kam marrë pjesë, si në grupin parlamentar të minoriteteve, ashtu edhe në komisionet parlamentare, dhe, sigurisht, edhe gjatë asambleve parlamentare. Besoj se ka qenë një sukses i madh adoptimi i ligjit për vendosjen e ditës kombëtare të pakicave kombëtare të Rumanisë në datën 18 dhjetor. Kjo ditë festohet në Rumani që në vitin 1998 në bazë të një vendimi të Qeverisë Rumune, por me ligjin e vitit 2017, dita e minoriteteve nacionale u kthye në një festë kombëtare. Në këtë mënyrë shteti rumun jo vetëm që respekton dhe mbron identitetin e pakicave kombëtare, por të gjithë festojmë unitetin në diversitet. Në një pikëpamje tjetër, do të theksoja miratimin e një ligji më 2018, i cili i solli disa kompletime vendimit të qeverisë që lidhej me regjimin e rrugëve. Hartimi i këtij ligji erdhi si pasojë e një realiteti tragjik, sespe çdo vit në Rumani kishte humbje jetësh njerëzore për shkak të vendkalimeve nëpër linjat hekurudhore. Një nga arsyet ishte mungesa e postblloqeve hekurudhore, por edhe shikueshmëria e ulët për shkak të vegjetacionit të dendur përgjatë rrugëve hekurudhore. Nëpërmjet ligjit që thashë më lart, kemi detyruar administratorët e rrugëve hekurudhore të vendosin postoblloqe në të gjitha kalimet e rrugëve europiane si dhe në vendkalimet me rrezik të lartë nëpër rrugët nacionale. Gjithashtu, u vendos pastrimi i bimësisë në një largësi deri 150 metra nga vendi i vendkalimit të rrugës hekurudhore. Sanksionet për mosrespektimin e këtyre dispozitave hynë në fuqi gradualisht, në fillim të viteve 2019  deri më 2020.

Kam bërë pjesë edhe në ekipin e formuar nga deputetë dhe senatorë të të gjitha grupeve parlamentare, i cili hartoi projektligjin që lidhet me Regjistrin e personave që kanë kryer vepra penale me karakter seksual, të shfrytëzimit të personave apo të shfrytëzimit të fëmijve.  Fatkeqësisht, ende përballemi me probleme të mëdha në nivel kombëtar përsa i përket shkeljeve ligjore me karakter seksual, trafikut të personave  dhe shfrytëzimit të fëmijve. Kemi synuar përmes këtij projektligji, që u kthye në ligj në verën e vitit 2019, të realizojmë një evidencë që të na lejojë njohjen, mbilkqyrjen dhe identifikimin e personave që kanë kryer vepra penale si përdhunim,  agresion seksual, trafik personash, shfrytëzim seksual të personave, shfrytëzim të lypsarëve, akte seksuale me të mitur, pornografi infantile dhe të tjera si këto. Kemi krijuar, kështusoj, një kuadër ligjor dhe nga të dhënat që i kemi nga Ministria e Punëve të Brendëshme, Policia do të operojë me këtë regjistër deri në fund të vitit 2020.

Drita: Përveç aktivitetit parlamentar, ju koordinoni edhe Këshillin Drejtues të Shoqatës Lidhja e Shiptarëve të Rumanisë. Cilat janë realizimit kryesore të ALAR-it gjatë këtyre viteve?

Bogdan-Alin Stoica: Besoj se është e vështirë t’i shikosh me objektivitet gjërat nga një pozicion brenda organizatës. Por, mund të them, duke lënë mënjanë modestinë, se kemi marrë faalenderime si nga anëtarët e komunitetit, ashtu edhe nga kolegët parlamentarë apo nga përfaqësues të institucioneve të kulturës apo të atyre arsimore të vendit dhe jashtë vendit për aktivitetin që ALAR ka zhvilluar vitet e fundit. Kjo gjë na nderon dhe na bën që të vazhdojmë të ngrejmë nivelin e veprimtarive dhe botimeve tona. Fillimisht, ka qenë i nevojshëm riorganizimi i shoqatës. Fatmirësisht, udhëheqja ekzekutive e organizatës veproi profesionalisht dhe kështu, në pranverën e vitit 2017, mundëm të hyjmë në një ritëm të ri të punëve. Kemi një ekip të jashtëzakonshëm, kurse Qëndra Kulturore Shqiptare koordinohet nga zotiDr. Luan Topciu, një njeri i kulturës, me vlera të pakundërshtueshme.

Kemi mundur, gjatë viteve 2017-2020, të zhvillojmë rreth 150 veprimtari kulturore, shkencore dhe artistike, duke vënë në plan të parë kulturën, historinë dhe traditat e shqiptarëve të Rumanisë dhe të shqiptarëve kudo në botë. Numri i pjesëmarrësve direktë në këto veprimtari arrin në shifrën mbi 37.000 persona, por duhet të mbajmë parasysh faktin se pandemia e këtij viti na detyroi t’i zhvillojmë shumë nga aktivitetet tona on-line. Nga njëra anë humbën kontaktin direkt me publikun, por, nga ana tjetër, fituam mijëra shikime në vend, por dhe  nga jashtë shtetit, të materialeve të publikuara në faqen tonë të internetit dhe në rrjetet sociale. Kemi shpërndarë gjatë këtyre viteve rreth 40.000 ekzemplarë dhe vëllime të botuara nga Shtëpia jonë Botuese Asdreni si dhe rreth 10.000 prodhime multimedia (DVD dhe CD me muzikë tradicionale shqiptare). Rreth 120.000 ekzemplarë të revistës mujore Drita kanë mbrritur tek të abonuarit, kurse revista tremujore kulturore-shkencore Albanica, duke filluar me vitin 2019, mbërrin në institucionet kulturore, arsimore dhe kërkimore të njohura të vendit dhe jashtë shtetit.

Pa dyshim, krenohemi me faktin se, duke filluar me vjeshtën e vitit 2018, kemi filluar projektin e Ditëve të Kulturës Shqiptare, një manifestim kulturor vjetor i përmasave të mëdha. Në edicionin e parë kemi inaguruar në Krajovë bustin e Skëndërbeut, të vendosur nga ALAR me ndihmën e Këshillit Lokal të qytetit, me praninë e një numri të madh parlamentarësh, zyrtarësh dhe njerëz të kulturës, të ardhur nga Shqipëria. Në vitin 2019, po në qytetin e Krajovës, kemi pasur nderin të kishim si mik të ftuar poetin e madh Visar Zhitin, vëllimi poetik i të cilit, botur në Shtëpinë Botuese Asdreni, u promovua në kuadrin e Ditëve të Kulturës Shqiptare. E kemi përfunduar edicionin e dytë të Ditëve të Kulturës Shqiptare me një koncert të jashtëzakonshëm simfonik në skenën e Filarmonisë Oltenia, gjatë të cilit u ekzekutuan në premierë nga orkestra filarmonike disa pjesë si dhe një pjesë e mjeshtrit shqiptar Endri Sina, e kompozuar posaçërisht për përvjetorin e 20-të të krijimit të Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, pjesë e cila u luajt për herë të parë me këtë rast.

Drita: Kujtuat këtu të ftuarit dhe miqtë nga Shqipëria. Si ka qenë bashkëpunimi midis ALAR dhe partenerëve nga Shqipëria dhe me pjesën tjetër të diasporës gjatë periudhës së mandatit tuaj të parë?

Bogdan-Alin Stoica: Që në fillim të mandatit tim u kam kushtuar vëmendje vëllezërve nga Shqipëria si dhe diasporës shqiptare. Përtej marrëdhënieve institucionale, me të cilat merren ata që janë të ngarkuar me këtë detyrë, gjë të cilën nuk dua ta analizoj këtu, midis Rumanisë dhe Shqipërisë ekziston një lidhje shpirtërore e cila tejkalon kuadrin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike. Kemi synuar që këtë lidhje ta rigjallërojmë dhe ta shumëfishojmë. Kemi pasur shumë miq nga Shqipëria në veprimtaritë tona kulturore dhe do të doja të kujtoja emra si Visar Zhiti, Agim Isaku, Thoma Gaqi, Fate Velaj, Erion Piciri, Rita Petro, Fahri Balliu, Loredan Bubani, Neli Naço etc. Kemi promovuar artin shqiptar gjatë gjithë territorit të Rumanisë, duke ekspozuar punimet e piktorëve si  Gentian Zeka, Ardian Fezollari, Ahmet Axhushi, Fate Velaj apo Miron Topciu. Gjithashtu, kemi organizuar një shkollë verore në qytetin e Vlorës, gjatë së cilës anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë kanë pasur rastin të hyjnë në kontakt me njerëz të kulturës dhe me zyrtarë shqiptarë të nivelit më të lartë.

Besoj se të gjitha  këto përpjekje janë mirëpritur nga partenerët tanë në Shqipëri. Në Tiranë kam marrë me nderim dhe mirënjohje të veçantë një diplomë nga ana e këshillit të qarkut për përpjekjet e bëra për promovimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në fillim të këtij viti, para shfaqjes së pandemisë, kam pasur një sërë takimesh me minsitra të Qeverisë Shqiptare në Tiranë, gjatë të cilave kemi vendosur më shumë drejtime bashkëpunimi, të cilat shpresoj t’i zhvillojmë në masën që situata epidemiologjike do ta lejojë. Do të shtoja se kemi vendosur lidhje me diasporën shqiptare në Itali, Kroaci, Austri, Suedi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francë. Në Milano, patëm kenaqësinë të priteshim në Shtëpinë Kodra të piktorit të madh shqiptar Ibrahim Kodra. Tablotë e tij ia kemi bërë tashmë të njohur publikut rumun përmes revistës Albanica.

Drita: Si do të vazhdojë aktivitetin Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumansië? Çfarë planesh keni për vitet në vijim?

Bogdan-Alin Stoica: Ndodhen në proces e sipër shumë projekte. Ekipi i Qëndrës Kulturore punon intensivisht për botime të reja, ekzistojnë projekte studimorë për komunitetin shqiptar të Rumanisë, dhe, përgjithësisht, për gjithçka që lidhet me diasporën shqiptare. Dëshirojmë të vazhdojmë t’i zhvillojmë edhe në të ardhmen Ditët e Kulturës Shqiptare, për të sjellë para publiku rumun aspekte të reja të kulturës dhe historisë shqiptare. Gjithashtu, synojmë që Qendra Kulturore Shqiptare të ketë shtëpinë e saj në Bukuresht, një vend që do t’i kushtohet jo vetëm evenimenteve dhe manifestimeve kulturore të një niveli të lartë, por që të shërbejë edhe si një vend takimi për anëtarët dhe miqtë e komunitetit shqiptar. Para situatës pandemike, kemi pasur plane të përbashkëta me partenerë të diasporës shqiptare për organizimin e shkëmbimeve të eksperiencës dhe të disa veprimtarive kulturore të mëdha. Shpresojmë që t’i çojmë deri në fund këto plane gjatë viteve të ardhshme.

Sigurisht, shpresojmë që zgjedhjet parlamentare në fund të këtij viti do të na konfirmojnë faktin që aktiviteti ynë ka qenë në nivelin e pritshmërisë dhe se zgjedhësit na kanë dhënë besimin. Të gjitha këto realizime nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e shtetit rumun dhe të popullit rumun, siç është rasti i të gjitha pakicave kombëtare. Jemi vazhdimisht mirënjohës për këtë mbështetje dhe këtë gjë e kam theksuar kudo dhe kurdo që kam pasur rastin, edhe nga tribuna e Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, anëtar i të cilit jam.

Në lidhje me aktivitetin tim parlamentar synoj që të përqëndrohem më shumë në fushën e kulturës dhe arsimit. Eksperinca e kësaj pandemie na zbuloi probleme të mëdha dhe dobësi në këto fusha. U kam adresuar tashmë një ftesë më shumë ekspertëve, me lutjen për t’u bashkuar me mua për të hartuar disa projekte që do të ndihmonin përmirësimin e gjërave në këto fusha.

Drita: Në përfundim, ju lutemi t’i drejtoni disa fjalë lexuesit të revistës „Drita”.

Bogdan-Alin Stoica: Të dashur lexues, na gëzon dhe na nderon fakti që ju jeni ndër miqtë e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë. Mbetemi me shpresën që, nëpërmjet revistës, veprimtarive dhe botimeve tona, arrijmë t’ju zgjojmë dhe t’ju ruajmë interesin dhe simpatinë për komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe për shqiptarët e Shqipërisë. Besimi që na jepni na motivon që të vazhdojmë të ecim në të njëjtën linjë, të perfeksionojmë dhe të ofrojmë një përmbajtje të nivelit të më të mirë të mundshëm. Ju falenderojmë dhe ju ftojmë të mbeteni përsëri pranë nesh!

Series Navigation<< „Sperăm ca alegerile parlamentare de la sfârșitul acestui an să ne confirme că activitatea noastră s-a ridicat la înălțimea așteptărilor”Albanica nr. 7 – një botim i ri nga Shtëpia Botuese Asdreni >>