Zgjedhje në kohë pandemie

Share

Këtë vit, në Rumani janë planifikuar zgjedhjet për administratën publike lokale si dhe zgjedhjet parlamentare – për Senatin dhe Dhomën e Deputetëve. Situata e përgjithshme, sigurisht, nuk është aspak e favorshme për zhvillimin e evenimenteve të tilla, të përmasave të mëdha, të cilat presupozojnë ndërveprim të zgjeruar midis njerëzve, duke filluar me periudhën e përgatitjeve të kandidaturave, duke vazhduar me fushatën elektorale dhe duke përfunduar, natyrisht, me ditën e votimit. Megjithatë, ushtrimi i të drejtës së votimit përbën esencën e demokracisë dhe është detyra e shteteve që vendosjen e çdo lloj kufizimi në kontekstin e pandemisë ta aplikojë në atë masë që është e nevojshme për mbrojtjen e disa interesave të përgjithshme. Për këtë arsye, megjithë problemet që krijon organizimi i zgjedhjeve në këtë kohë pandemie, ato nuk mund të shtyhen pafundësisht.

Duke u nisur nga këto arsye, u kam kërkuar si autoriteteve qëndrore, ashtu edhe atyre vendore, të marrin të gjitha masat e duhura për mbrojtjen e zgjedhësve dhe të të gjithë atyre që do të angazhohen në organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor. Qendrat e votimit duhet të disponojnë hapësira të përshtatshme dhe materiale mbrojtëse. Zhvillimi i fushatës zgjedhore duhet të mbahet nën mbikqyrje, në mënyrë që rreziku i përhapjes së virusit të jetë sa më i ulët, ndërsa nëpër qendrat e votimit duhet të sigurohet një fluks  i pranueshëm zgjedhësish, nëpër vija kalimi të caktuara qartë dhe me kufizim të kontakteve direkte me të tjerët. Të gjitha këto masa janë të arsyeshme dhe tregojnë veç angazhimit, vëmendje dhe vigjilencë nga ana e autoriteteve, por edhe përgjegjësi nga ana e zgjedhësve.

Kam bindjen se së bashku do të mund t’i kapër­cejmë me sukses vështirësitë që kemi përpara. Shpresoj që kjo situatë epidemiologjike, graviteti i së cilës nuk duhet vënë në dyshim, nuk do të na bëjë që të heqim dorë nga e drejta themelore e votës. Demokracia duhet ruajtur edhe në kohë pandemie, edhe në kohë lufte apo fatkeqësish natyrore. Për këtë qëllim, ju drejtoj këshillën për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, sigurisht, duke respektuar masat mbrojtëse që kanë vendosur autoritetet. Gjithashtu, ky aspekt është thelbësor jo vetëm për zhvillimin e procesit zgjedhor, por edhe për jetën tonë të përditshme.

Dhe, meqënëse nu fund të këtij viti na presin zgjedhjet parlamentare, ju adresoj lutjen për të mbështetur Shoqatën Lidhja e Shqiptarëve të Ruma­nisë, për të ruajtur përfaqësimin e saj në Dhomën e Deputetëve, në mënyrë që të mund të zhvillojmë në vazhdimësi projektet kulturore dhe botuese, të vazhdojmë të jemi pranë jush përmes revistave Drita dhe Albanica dhe të sjellim kontributin tonë edhe në të ardhmen për zhvillimin e klimës shumëkulturore dhe shumëetnike të Rumanisë. Në numrat e ardhshëm të revistës Drita do t’ju paraqesim një bilanc të zgjeruar të aktivitetit tonë gjatë katër viteve të fundit, pikërisht për t’ju bindur, edhe njëherë, që të mbeteni pranë nesh.

Deputet Bogdan-Alin Stoica

Series Navigation<< Alegeri în vreme de pandemieLa Vlora se deschide un muzeu dedicat evreilor >>