Dobroxhea – një model i bashkëjetesës shumëetnike

Share

Megjithëse pandemia vështirësoi ndjeshëm jo vetëm organizimin e eventeve dhe veprimtarive kulturore, që Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë e kishte bërë zakon t’i organizonte për anëtarët dhe miqtë e saj, por edhe jetën tonë të përditshme, mundëm që në mes të muajit korrik të zhvillojmë një vizitë në kryeqendrën e krahinës së Dobroxhias, në Konstancë, dhe të promovojmë këtu librin Albania: o istorie în date. Despre Kanun. Personalități, (Shqipëria: një histori në data. Mbi Kanunin. Personalitete) të autorëve Dr. Liviu Lungu dhe Dr. Luan Topciu. Përveç lançimit të këtij libri, i cili u xhvillua me pjesëmarrjen e shumë simpatizantëve dhe bashkëpunëtorëve tanë, vizita në qytetin e Konstancës na krijoi mundësinë për t’u ritakuar me një pjesë të komunitetit të vjetër të shqiptarëve, por edhe me përfaqësues të minoriteteve të tjera që jetojnë në krahinën e Dobroxhias.

Për historinë e shqiptarëve të Rumanisë, por edhe për vetë kombin shqiptar, krahina e Dobroxhias, veçanërisht, qyteti i Konstancës, ka një domethënie të madhe. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në brigjet e Detit të Zi ekzistonte një komunitet i madh shqiptarësh, i cili botoi gazeta dhe revista kulture, por edhe vepra të rëndësishme, siç ishin përkthimet në gjuhën shqipe nga poezia e Emineskut. Në vitet 1932 dhe 1937, në Konstancë u botuan vëllimet poetike të poetit të madh shqiptar, Lasgush Poradeci. Në qytetin Medxhidia të kësaj krahine punoi mjeku dhe patrioti shqiptar Ibrahim Themo, busti i të cilit u vendos në këtë qytet nga ALAR (Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë) në vitin 2016.

Vizita në Konstancë na bëri të rizbulojmë modelin e bashkëjetesës shumëetnike në zonën jug-lindore të Rumanisë. Shqiptarë, turq, tëtarë, grekë, italianë, por edhe shtetas të tjerë rumunë, që u përkasin minoriteteve nacionale, jetojnë në paqe dhe harmoni, duke manifestuar respekt ndaj njeri-tjetrit, ndaj vlerave të tyre kulturore, gjuhësore dhe fetare. Po kështu, në cilësinë time si anëtar i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, kam theksuar disa herë me radhë se në Rumani ekziston një kuadër ligjor dhe social që inkurajon diversitetin etnik, konservimin dhe promovimin e vlerave të pakicave etnike. Në këtë kuptim, në çdo rast kam dhënë si shembull pozitiv krahinën e Dobroxhias, krahas qendrave të njohura urbane të Transilvanisë (Sibiu, Kluzh-Napoka) apo të krahinës së Banatit (Timishoara).

Kjo klimë shumëetnike e Dobroxhias është, padyshim, një element që favorizon zhvillimin e kësaj zone. Toleranca, respekti ndaj tjetrit si dhe bashkëpunimi janë kushte sine qua non për zhvillimin e një komuniteti. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet konservimit dhe promovimit të identiteteve etnike ndërtohet një histori komunitare e mrekullueshme për ata që janë jashtë këtij komuniteti. Kështu, përveç potencialit natyror, krahina e Dobroxhias kthehet në një destinacion tërheqës edhe për turizmin kulturor. Këto aspekte na demonstrojnë edhe rëndësinë që ka edukata familjare dhe ajo institucionale në frymën e shumëllojshmërisë kulturore. Fëmijët dhe të rinjtë duhet ta kuptojnë shumëllojshmërinë kulturore, etnike, fetare etj., për të mos rënë në kurthin e debateve ekstremiste dhe të fake news­-eve.

Deputet Bogdan-Alin Stoica

Series Navigation<< Dobrogea – un model de conviețuire multietnicăPandemia și traficul de droguri >>