Kultura në radhë të parë

Share

Ndër masat që autoritetet rumune si dhe ato mbarë botërore qenë të detyruar të marrin në kontekstin e pandemisë së Covid-19 ishte edhe ajo e ndalimit të grumbullimeve publike, pavarësisht nga lloji dhe karakteri i tyre. Bëhej fjala, në radhë të parë, për grumbullimet në hapësirat e mbyllura dhe, si pasojë e këtij kufizimi, i gjithë sektori i kulturës ka qenë i prekur rëndë. Por, megjithëse teatri, opera, filarmonia, bibliotekat apo muzeumet mbetën të mbyllura, pjesa më e madhe e këtyre institucioneve kulturore e zhven­dosën aktivitetin e tyre në mjedisin online, për aq sa qe e mundur në situatën e krijuar. Vumë re lehtësisht se përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses, duke qenë se kanë marrë vlerësimin e publikut.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, na kanë mbërritur në zyrën tonë, por edhe në grupin parlamentar të pakicave kombëtare, një sërë kërkesash nga dashamirësit e kulturës në Rumani, përmes të cilave kërkohej hapja e këtyre institucioneve. Fatkeqësisht, situata epidemiolo­gjike nuk na lejoi të vepronim në mënyrë më të relaksuar, aq sa, në momentin që shkruaj këto rreshta (në gjysmën e muajit qershor), shfaqjet dhe aktivitetet në hapësira të mbyllura nuk janë ende të lejuara.  Megjithatë, ekzistojnë institucione kulturore të cilat kanë filluar të organizojnë shfaqje në mjedise të hapura, aty ku infrastruktura ekzistuese e lejon këtë gjë, ndërkohë që muzeumet kanë rimarrë tashmë aktivitetin e tyre në kushtet strikte që imponohen nga autoritetet. Edhe për ne, Shoqatën Lidhja e Shqipta­rëve të Rumanisë, pezullimi i aktiviteteve kulturore në hapësira të mbyllura ka qenë i vështirë për t’u menaxhuar, sepse pjesa më e madhe e veprimtarive tona zhvillohen, siç e dini, nëpër institucionet e kulturës të qyteteve të mëdha.

Megjithëse të ndodhur në këto rrethana, aspak të përshtatshme, kemi mbetur me një përshtypje që na gëzon: publiku rumun dëshiron dhe ka mall për veprimtaritë kulturore cilësore. Numri i madh i mesazheve që kemi marrë, presioni publik është shumë domethënës, por edhe konstatimet tona nga bisedat me artistë dhe me drejtues të institucioneve kulturore, më kanë bërë të kuptoj se ekziston preokupim dhe interes për kulturën në shoqërinë rumune. Për rjedhojë, kemi detyrimin të gjejmë zgjidhje, në mënyrë që aktiviteti i institucioneve të kulturës të rikthehet sa më shpejt afër normalitetit. Më shumë se kaq,  kjo pandemi na tregoi, përsëri, se në fushën e kulturës ekzistojnë segmente me financim të ulët dhe me një infrastrukturë mungesore. Për këtë arsye, Qeveria nuk duhet të neglizhojë kulturën në planet e saj për periudhën pas pandemisë. Gjithashtu, nuk duhen lënë në harresë artistët e pavarur, teatrot private, dhe përgjithësisht të gjithë krijuesit, interpretuesit, promotorët dhe përhapësit e kulturës, që mbetën të prekur direkt apo indirekt nga masat shtrënguese në kontekstin e pandemisë. Të gjithëve duhet t’u lehtësohet kthimi në normalitet si dhe kontakti me publikun, sigurisht, duke mbajtur parasysh situatën epidemiologjike, për të mos rrezikuar rezultatin e përpjekjeve që kemi bërë deri tani në luftën kundër pandemisë.

Deputet Bogdan-Alin Stoica

Series Navigation<< Cultura în primul planALAR ONLINE TV – një fillim premtues >>